Kosova e Litershtajni nënshkruan memorandum në fushën e Migracionit
Prishtinë, 2 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti një delegacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Principata e Litershtajnit, të kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Hugo Quaderer.
Ministri Rexhepi falënderoi, ministrin Quaderer për mbështetjen e vazhdueshme të Liershtajnit, kur dihet se ky vend është ndër të parët që kanë njohur Republikën e Kosovës.
Me këtë rast ministri Rexhepi e njoftoi edhe për gjendjen e sigurisë së përgjithshme në vendin tonë.
Gjatë këtij takimi u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Principatës së Litershtajnit për bashkëpunim në fushën e Migracionit.
Ministri Rexhepi kërkoi nga delegacioni i Litershtajnit të shikojnë mundësitë e migrimit të rregullt, që në mënyrë të kontrolluar qytetarë të Republikës së Kosovës të qëndrojnë për punë sezonale në këtë shtet.
Ministri i Punëve të Brendshme i Principatës së Litershtajnit, Hugo Quaderer, vuri në dukje se në Litershtajn jetojnë afërsisht rreth 350 persona nga Republika e Kosovës dhe ata janë jashtëzakonisht mirë të integruar në shoqërinë e Litershtajnit.
Ministri Quaderer vlerësoi idenë e ministrit Rexhepi për punë sezonale të qytetarëve të Kosovës dhe premtoi se kjo kërkesë do të shqyrtohet në nivel të ekspertëve në identifikimin e profileve për punë të përkohshme në këtë shtet.