02 Maj 2024

Kosova e ka të sigurt të ardhmen evropiane

Prishtinë, 23 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot në një takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për çështjen e vizave, Tanja Fajon dhe Knut Fleckenstein, me të cilët bisedoi për zhvillimet e fundit në vend.

Ministri Hoxhaj i informoi deputetët evropianë në mënyrë të hollësishme për progresin që ka arritur Kosova në konsolidimin e shtetësisë së brendshme dhe të jashtme, në numrin e njohjeve që kemi marrë dhe në rrugën e pandalshme të forcimit të shtetit të Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu mysafirët i informoi edhe për procesin e dialogut teknik ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili po zhvillohet këto ditë në Bruksel. 

“Biseduam për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës, për vendimet që i ka marrë Këshilli Evropian në dhjetor të vitit të kaluar, sidomos për sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave dhe ne presim shumë shpejt që në Kosovë të vijë edhe udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, për marrjen e marrëdhënieve kontraktuale në formën e marrëdhënieve tregtare."

"Sikurse sot, si Qeveri e Republikës së Kosovës, presim që komisioni evropian në një konferencë shtypi do t’i informojë të gjithë qytetarët e Kosovës për fillimin e hartimit të një studimi të fizibilitetit që është si fazë e parë që Republika e Kosovës gjatë një kohe të caktuar do të nënshkruajë edhe marrëveshjen e stabilizim asocijimit, e cila është korniza e mirëfilltë për të filluar një proces të integrimit evropian të Republikës së Kosovës”, tha ministri Hoxhaj, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që agjendën e saj evropiane ta dhëndërojë në një agjendë të mirëfilltë të integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth përfaqësimit të Kosovës në iniciativat rajonale me fusnotën 1244, ministri Hoxhaj theksoi se të gjitha dokumentet zyrtare të hartuara deri më tani sa i përket Kosovës kanë pasur referencë rezolutën 1244. 

“Deri më tash, ju e dini që unë si ministër dhe pararendësi im, Skender Hyseni, kemi marrë pjesë në të gjitha takimet e mundshme ndërkombëtare nën autoritetin e rezolutës 1244. Të gjitha dokumentet zyrtare që janë hartuar deri më tash sa i përket Kosovës edhe raporti i progresit i BE-së, çdo herë ka pasur një referencë në rezolutën 1244. Mendoj se ajo çka po ndodh sot në Bruksel është se si ky përfaqësim i Kosovës të jetë më i avancuar dhe si të balancohet me një referencë që ka të bëjë me realitetin faktik në Kosovë, me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe me opinionin e GJND-së."

"Mirëpo çdo interpretim tjetër mendoj se është interpretim, i cili nuk përkon me realitetin”, ka sqaruar ministri Hoxhaj, duke shtuar se “nëse sot arrihet një marrëveshje në Bruksel, ajo çka do të ndodhë me Kosovën është një ndryshim kualitativ pozitiv”.

“Kosova mund të anëtarësohet në organizatat rajonale evropiane dhe globale; mund ta përfaqësojë veten në këto organizata; mund të flas në emër të saj në këto organizata dhe në të njëjtën kohë ka autoritet të nënshkrimit në këto takime multilaterale”, tha Hoxhaj.

Ai bëri të ditur se MPJ deri më tash ka 85 marrëveshje të nënshkruara, por këto marrëveshje të nënshkruara, janë bilaterale në mes të Republikës e Kosovës dhe shteteve që e kanë njohur Republikën e Kosovës.

”Përderisa pas një formule që do të arrihet në Bruksel, pas një emërtimi të ri, ne do ta kemi mundësinë e përfaqësimit, prezantimit dhe të nënshkrimit të vendit tonë si shtet i pavarur dhe sovran.  Sigurisht që kjo formulë që do të gjendet në përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në rreth 40 organizata të rajonit, kjo formulë do të përdoret edhe në marrëdhëniet kontraktuale në mes të Republikës e Kosovës dhe institucioneve të BE-së, kjo formulë do të përdoret edhe për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocijimit. Mendoj se është një dallim i madh kualitativ nëse në mënyrë precize interpretojmë realitetin në formën se si ka ndodhur”, ka shtuar Hoxhaj.

Në anën tjetër, raportuesja e Parlamentit Evropian për cështjen e vizave, Tanja Fajon tha se sot është një moment shumë jetik për Kosovën dhe për të ardhmen e saj në shtegun e vet drejt integrimit evropian.

Ajo tha se është shumë e lumtur që Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur që ta nisin dialogun me Kosovën dhe në javët që do të vinë do të presim udhërrëfyesin për Kosovën.

“Ju e dini që Parlamenti Evropian është një përkrahës për zgjerimin e Bashkimi Evropian dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur që Kosova të hyjë në këtë shteg”, tha Fajon, duke nënvizuar se institucionet kosovare kanë bërë mjaft në të kaluarën për të arritur deri këtu, por e gjitha sipas saj, varet shumë nga puna në terren.

Ajo tha se nuk është mirë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të jetojnë brenda këtyre dyerve të mbyllura në Ballkanit Perëndimor.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe shpresoj se në muajt në vijim do shohim një përparim të qartë lidhur me Kosovën. Ajo që po ashtu pres sot është që të gjitha vendimet që i marrim në Bruksel të jenë vendime të cilat nuk heqin kurrfarë integriteti apo pavarësie të Kosovës:, vlerësoi deputetja Fajon.

Fajon tha se është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë në shtegun evropian dhe sipas saj,  kjo është shumë e rëndësishme për brezat e rinj. “Viteve të fundit kam pasur shumë kontakte me të rinjtë dhe është shumë vështirë të kuptohet se rinia e Kosovës nuk i ka ato mundësi dhe ato oportunitete sikurse edhe rinia nëpër vendet në rajon”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk i referoheni Kosovës si Republikë e Kosovës kur parlamenti i juaj e njeh Kosovën si shtet të pavarur, a do të thotë se do të vazhdoni ta përdorni fusnotën mbas këtyre zhvillimeve, Raportuesja e Parlamentit Evropian për çështjet e vizave Tanja Fajon tha se unë iu referova qytetarëve të Kosovës në vend se të them Republikë e Kosovës.

“Ju e dini se Sllovenia e njeh shtetin e Kosovës dhe kjo është shumë me rëndësi se pesë shtete të Bashkimit Evropian do ta njohin vendimin e sotëm dhe gradualisht do të arrijmë edhe me njohjen edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Mendoj se jemi ecur në drejtimin e duhur dhe ky lajm pozitiv nga Brukseli mendoj se do të perceptohet mirë në mënyrë që të kemi mundësi më të mira me folë me pesë shtetet anëtare. Unë mendoj se jemi duke ecur në drejtimin e duhur dhe mendoj se vendimi nga Brukseli do të jetë një lajm tepër pozitiv për Kosovën”, ka thënë deputetja Fajon.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)