Kosova duhet të ruaj laicitetin e shtetit dhe frymën europiane
Prishtinë, 13 dhjetor - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) vlerëson se oientimi politik i Kosovës, është qartësuar hapur, nëpërmjet platformës për liri, pavarësi dhe demokraci dhe integrime euro-atlantike.
Kohëve të fundit, shohim tendenca të hapura për të atakuar laicitetin e shtetit, nga grupe të ndryshme që kështu duan të pengojnë orientimin e vendit tonë kah perëndimi.
PSHDK-ja, këto tendenca i vlerëson tejet të rrezikshme për Kosovën, sepse ndikojnë drejtpërdrejtë në konsolidimin e shtetit tonë, por edhe realizimin e objektivave tona fundamentale për integrime.
Kosova është pjesë e identitetit europian, me një kulturë të lashtë dhe me një identitet të qartë dhe nga kjo rrugë nuk mund ta ndalë askush, përkundër tendencave të kohëve të fundit, që duan ta devijojnë nga kjo rrugë.
Këto tendenca, që vijnë nga qarqe të ndryshme të errëta dhe të orkestruara nga interesa të huaja, sjanë në dobi të së tashmes së Kosovës dhe po ashtu e pengojnë drejtpërdrejtë të ardhmen e vendit tonë.
PSHDK-ja vlerëson se është në përgjegjësinë direkte të institucioneve tona, që të punojnë në mënjanimin e gjuhës ekstremiste e përjashtuese në Kosovë, sepse kjo gjuhë e rrezikon laicitetin e shtetit tonë dhe bëhet pengesë serioze për integrimet euro-atlantike.
Po ashtu, PSHDK-ja, kërkon nga institucionet tona dhe faktori ndërkombëtar në vend, që konform ligjeve në fuqi të veprojnë me një dinamizëm të shtuar për të përmbushur standardet e nevojshme për të realizuar synimet tona për kthim në familjen e madhe europiane.