28 Dhjetor 2024

Kosova drejt zgjedhjeve të reja

Prishtinë, 22 dhjetor - Jo për shkak të pozitës së presidentit, por për shkak të mënyrës së zgjedhjes së qeverisë së Avdullah Hotit, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani të martën do të takohet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vendosi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Rrjedhimisht, gjykata konstatoi se “presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre".

Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Sipas nenit 82 të Kushtetutës, kuvendi, ndër të tjera, shpërndahet nga 2/3 e votave të deputetëve dhe më pas presidenti i vendit përmes dekretit shpërndanë kuvendin dhe shpall datën e zgjedhjeve.

Partitë e koalicionit qeverisës, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e komuniteteve joshumicë ende nuk kanë komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet e reja. Ishte po kjo parti që e dërgoi në Kushtetuese për interpretim të kushtetutshmërisë votën e Arifit për Qeverinë Hoti.

Pas vendimit, partia opozitare, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që zgjedhjet të mbahen sa më parë, pasi tha se Qeveria Hoti tash e sa muaj nuk e ka shumicën në parlament, që gjë sipas PDK-së, pamundësoi kalimin e ligjeve.

Përveç, qeverisë në detyrë, Kosova aktualisht është edhe me ushtrues detyre të presidentit, pasi më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ashtu siç thuhet në kushtetutë, po e ushtron këtë post dhe këtë gjë mund ta bëjë për një periudhë gjashtëmujore nga data e marrjes së detyrës më 5 nëntor.

Deri më tani, postin e presidentit e ka synuar Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, gjë për të cilën nuk gjeti përkrahjen e partneres së koalicionit, LDK-së. Po ashtu, PDK-ja ka dalë me qëndrimin se për president voton vetëm kandidatin që e propozon vetë.

Më herët, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ishte deklaruar kundër shkuarjes në zgjedhje për shkak të postit të presidentit.

Ndryshe, Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentit dhe kryeparlamentarja, tashmë veç ka paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të garojë me një listë të re, kjo pasi LDK-ja, në muajin qershor, e shkarkoi atë nga posti i nënkryetares së partisë dhe nga funksionet e tjera partiake, duke argumentuar se Osmani ka shkelur statusin e partisë kur është shprehur kundër Qeverisë Hoti.

 

/Rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)