Kosova drejt dështimit
Prishtinë, 28 tetor - Kosova ka hyrë në një fazë kritike, ku qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet.
Deklarata është dhënë nga zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu.
Në një prononcim për Rel, Vllahiu ka rikujtuar se për një muaj, presidentja Jahjaga ka lehtësuar procesin, duke takuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes e cila do të respektonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.
Por, deri më tani, një zgjidhje e tillë nuk ishte ofruar.
Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve. Mos të harrojmë se pa konstituimin e Kuvendit nuk do të mund të miratohet ligji për buxhetin, i paraparë nga fundi I muajit nëntor dhe kjo nënkupton që nuk mund të garantojmë funksionimin e shtetit, ka deklaruar Vllahiu.
Deri më tani, në takimet që janë bërë mes liderëve të partive të bllokut dhe Hashim Thaçit, ata janë bërë ndaras, ndërsa ka një ide që të ketë një takim të përbashkët në presidencë.
Vllahiu ka theksuar se një takim i tillë do të dëshmonte se liderët politikë e kanë aq qytetari sa të ulen në tryezë për fatet e shtetit të Kosovës.
/REL/