Kosova drejt aderimit në Konventën e Apostiles dhe në Gjykatën e Arbitrazhit
Prishtinë, 19 nëntor - Republika e Kosovës ka pranuar prej Ministrisë së Jashtme të Holandës konfirmimin formal të pranimit për depozitim të akteve të aderimit në Konventën për heqjen e kërkesës për legalizim të dokumenteve publike të jashtme, që njihet ndryshe edhe si Konventa Apostile, si dhe Konventën për aderim në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit apo Konventa e vitit 1907 për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.
Konfirmimi i MPJ-së së Holandës njofton se në përputhje me nenin 12-të të saj, Konventa e Apostilës pritet të hyj në fuqi në 14 korrik 2016, ndërsa Konventa e Hagës për anëtarësim në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit sikurse parashikohet nga neni 95-të i saj do të hyjë në fuqi më 5 janar 2016.
Aktet e aderimit janë dorëzuar prej Republikës së Kosovës në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës, më 6 nëntor 2015.
Në emër të Republikës së Kosovës, nënshkrimet i ka bërë zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm, kurse depozitimin tek shteti pritës i autorizuar për pranimin e depozitimit të kërkesave, e ka bërë ambasadorja Vjosa Dobruna. Ndërsa, në emër të Mbretërisë së Holandës, pranimin e akteve të aderimit e ka bërë Joseph Damoiseaux, Shef i Divizionit të Traktateve në MPJ të Holandës, në prani edhe të Sekretarit Gjeneral të Byrosë së Përhershme të Konferencës së Hagës, Christophe Bernasconi.
Konventa e Apostilës ka si palë kontraktuese 109 shtete dhe aderimin e fundit e ka bërë Taxhikistani, ku kjo konventë ka hyrë në fuqi në 31 tetor 2015. Kjo konventë përcakton heqjen e legalizimit të akteve publike të huaja mes të cilave bëjnë pjesë dokumentet që lëshon një autoritet apo një funksionar i administratës së shtetit (përfshirë prokurorinë, gjykatën), dokumentet administrative, aktet noteriale, deklaratat zyrtare që dëshmojnë një regjistrim, një verifikim firme mbi një akt privat, etj.
Pra, parashikon që ndërmjet shteteve që kanë aderuar në këtë konventë të mos kërkohet më legalizimi i çertifikatave pranë autoriteteve konsullore, por të njihen si të vlefshme të gjitha ato çertifikata që kanë të ashtuquajturën vulë apostile të vënë nga autoritetet e vendit që kanë lëshuar dokumentin. Vula apostile është një vulë e standardizuar në përmasa e përmbajtje nga vetë konventa, që duke u vendosur në një dokument nga autoriteti kompetent i një shteti e bën atë të vlefshëm edhe për shtetet e tjera që kanë nënshkruar konventën. Kjo u heq shtetasve të Kosovës dhe diasporës mundimin e deritanishëm të legalizimit pranë përfaqësive konsullore të dokumenteve tona shtetërore apo akteve të tjera publike kosovare.
Nëpërmjet anëtarësimit në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit në Hagë, Kosova bëhet pjesë njërës prej organizatave më të vjetra ndërshtetërore, e cila është themeluar që në vitin 1899 dhe deri sot ka 117 shtete anëtare. Ky institucion ndihmon në arbitrim dhe ndërmjetësim për të zgjidhur konfliktet ndërmjet shteteve, institucioneve shtetërore, organizatave ndërshtetërore dhe palëve private. Gjykata e Përhershme është kompetente për të gjitha rastet e arbitrazhit, me përjashtim të rasteve kur palët bien dakord ti drejtohen një gjykate të posaçme.
Anëtarësimi në këtë organizatë përveçse konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, e pajis shtetin tonë edhe me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private. Mundësia e adresimit të çështjeve në këtë gjykatë është veçanërisht e favorshme për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të inkurajuar investitorët e huaj dhe vendor.