Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal
Prishtinë, 28 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.
Kryeministri Hoti e ka siguruar Varhelyi, se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.
Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina.
Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë inicuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.
Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.
Kryeministri Hoti falënderoi gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.