Kosova do të komunikojë pa fusnotë me Serbinë
Prishtinë, 16 qershor - Ambasadori Lulzim Peci, zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi shprehet se marrëveshja me Serbinë parasheh mbajtjen e të gjitha simboleve shtetërore në zyrat tona të punës.
Mesditën e së hënës ambasadori Lulzim Peci me një asistent dhe shofer, do të nisin në Beograd një mision, që për Kosovën ka karakterin diplomatik. Të njëjtën ditë në Prishtinë do të vendoset zyrtari ndërlidhës i Serbisë, Dejan Paviçeviq, po kështu me një asistent e një shofer.
Shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës do të bëhet saktësisht 14 vjet pasi Serbia shpalli kapitullimin nga një luftë e përgjakshme në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
Jemi marrë vesh që në komunikimin e ndërsjellë të përdorim simbolet shtetërore të vendeve tona, ndërsa në memo do të jetë vetëm Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë dhe pa fusnotë, me reciprocitet të plotë, ka thënë Peci.