Kosova do të ketë vazhdimisht përkrahjen e Italisë
Prishtinë, 10 shtator - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, Michael L.Giffoni.
Pasi u falënderua për pritjen, ambasadori Michael L.Giffoni, theksoi se periudha sa shërbeu në Kosovë përbën vite të rëndësishme të zhvillimeve në Ballkan dhe rrugëve të këtij Rajoni drejt Bashkimit Evropian,duke shprehur njëkohësisht kënaqësinë që ka qenë edhe pjesëmarrës i lindjes dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq,duke falënderuar kryekuvendarin Krasniqi për bashkëpunimin, theksoi se Kosova do të ketë vazhdimisht përkrahjen e Italisë.
Si shtet ne kemi nevojë për stabilitet në Kosovë. Megjithëse Kosova ende nuk është anëtare e BE-së, ajo është pjesë e shoqërisë evropiane. Kur të sigurohet perspektiva e Ballkanit do të kemi një Evropë të vërtetë, tha në fjalën e tij ambasadori i deritashëm i Italisë në Kosovë, Michael L.Giffoni.
Duke e falënderuar Giffoni për angazhimet në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve,kreu legjislativit të vendit Krasniqi vlerësoi kontributin e Italisë që ka dhënë për atë që ka arritur Kosova deri sot.
Rruga evropiane e Kosovës nuk ka alternativë. Në këtë kontekst është krijuar një bazament për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve të dyanshme. Ky realitet i ri ofron përparësi edhe për bizneset italiane që të veprojnë në Kosovë, theksoi Krasniqi, duke e përgëzuar ambasadorin për kontributin e tij në këto rrjedha bashkëpunimi dhe uruar në detyrën e re që e pret atë.