Kosova do të jetë nikoqire e konferencës së Ballkanit Perëndimor
Prishtinë, 24 mars - Kosova do të jetë nikoqire e konferencës ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Western Balkans 6, ku do të diskutohen projektet konkrete ekonomike të karakterit rajonal, me theks të veçantë në investimet në infrastrukturë.
Kjo konferencë vjen pas konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, znj. Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.
Konferenca Western Balkans 6 do ti zhvillojë punimet më 25 mars, në Swiss Diamond Hotel, në Prishtinë.
Në mesin e pjesëmarrësve në konferencë do të jenë ministrat e jashtëm dhe ata të infrastukturës të vendeve të rajonit si dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Han, dhe komisionerja evropiane për transport, znj. Violeta Bulc (përmes një video-mesazhi).
Konferenca fillon në orën 10:00, ndërsa mediet do të lejohen të marrin pamje të fjalëve hyrësë të zëvendëskryeministrit të Parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Hashim Thaçi, dhe Komisionerit të BE-së për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negocim të Zgjerimit, z. Johanes Han. Konferenca për medie do të mbahet nga ora 12:40 deri në orën 13:10.