28 Prill 2024

Kosova dhe Zvicra nisin dialogun në fushën e migracionit

Prishtinë, 11 tetor - Raundi i dytë i dialogut për implementimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e migracionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Zvicrës, ka vazhduar sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, si dhe zyrtarë të lartë të të dyja shteteve.

Me këtë rast, ministri Bajram Rexhepi shprehi mirënjohën për përkrahjen të cilën shteti zviceran i ka ofruar institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Rexhepi tha se sundimi i ligjit është themeli i prioriteteve dhe aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në kuadër të sundimit të ligjit hyjnë një varg aktivitetesh që kanë të bëjnë me luftimin e migrimit ilegal, duke hapur njëkohësisht rrugë për projekte të cilat promovojnë migrimin legal.

“Dëshiroj të theksoj se në këtë fazë që jemi, i plotësojmë të gjitha kriteret për lehtësim të vizave për disa kategori si: për biznesmenë, studentë, përfaqësues të institucioneve, etj. Rrjedhimisht ftoj edhe palën zvicerane të mundësojë këto lehtësime, duke përfshirë afatin më të gjatë të qëndrimit dhe rishikimin e kostos administrative”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi bëri të ditur se Policia e Kosovës është e përkushtuar të luftojë çdo formë të migrimit ilegal, ku gjatë muajve të fundit janë ndërmarrë tri operacione, me ç’rast janë arrestuar 19 persona të dyshuar për kontrabandim me njerëz.

Ndërsa ambasadorja Krystyna Marty Lang tha se Zvicra dhe Kosova janë duke biseduar për një çështje shumë të rëndësishme, siç është migrimi, ku takimi i dytë ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin në mënyrë që të luftohet migrimi ilegal.

“Shpresojmë se së shpejti, individët do të mund të jenë në gjendje të kalojnë kufijtë pa pengesë. Para më shumë se dy vitesh, Zvicra i është bashkangjitur zonës Shengen, me qëllim që të lehtësohet liria e lëvizjes, shpresojmë se Republika e Kosovës do të na bashkëngjitet gjithashtu”, tha ambasadorja Lang.

Ambasadorja zvicerane theksoi se bashkëpunimi në mes të dyja vendeve mund të bëhet në disa fusha siç është lufta kundër trafikimit të njerëzve, në fushën e policisë si dhe bashkëpunimit teknik për të përmirësuar kontrollimin e kufijve dhe implementimin efektiv të marrëveshjes për ri-integrim.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)