Kosova dhe Turqia do të thellojnë bashkëpunimin bilateral
Prishtinë, 21 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar homologun turk për progresin që po arrihet në Kosovë dhe forcimin e gjithanshëm të shtetësisë.
Ministri Davutoğlu ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Turqisë për avancimin e gjithanshëm të proceseve.
Ministri Hoxhaj dhe ministri Davutoğlu gjatë bisedës janë fokusuar në forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral, duke shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e shkëmbimeve në shumë fusha, si në ekonomi, tregti, kulturë, arsim etj.
Shefi i diplomacisë kosovare foli edhe për fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke vlerësuar përkrahjen turke në këtë drejtim.
Davutoğlu rikonfirmoi përkrahjen e mëtejshme të shtetit të tij në procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata multilaterale.
Më tutje, dy ministrat kanë biseduar edhe për proceset e fundit në rajon dhe më gjerë.