Kosova dhe Suedia nënshkruan marrëveshja për Ri-pranim
Prishtinë, 4 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, priti ministrin e Suedisë për Migrim dhe Politika të Azilit, Tobias Billstrom.
Pas takimit ndërmjet dy ministrave, u nënshkrua Marrëveshja për Ri-pranim si dhe protokolli përkatës për zbatimin e kësaj marrëveshje, në mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.
Kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së MPB-së, në frymën e përmbushjes së kritereve për Liberalizimin e Vizave.
Ministri Rexhepi falënderoi Mbretërinë e Suedisë për përkrahjen dhe kontributin e dhënë për Republikën e Kosovës.
Falënderojmë Mbretërinë e Suedisë për përkrahjen që ka ofruar në të gjitha fushat për Kosovën dhe në këtë rast që e kemi finalizuar një Marrëveshje për Ri-pranim, që është shumë precize, pa dilema dhe ne do ti përmbahemi plotësisht asaj, theksoi ministri Rexhepi.
Ndërsa ministri i Suedisë për Migrim dhe Politika të Azilit, Tobias Billstrom, tha se çështja e kthimit të atyre që kanë dështuar të marrin azil në Suedi dhe kthimi në vendin e tyre të origjinës, është një çështje që është shumë me rëndësi në agjendën politike të Suedisë.
Ata njerëz që nuk plotësojnë kriteret e azilit duhet të kthehen në vendet e tyre. Qeveria e Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes për Ri-pranim tregon sinqeritetin dhe përgjegjësinë në lidhje me këtë çështje shumë të ndjeshme , tha ministri Billstrom.
Ministri Billstrom theksoi se mbështetja e Mbretërisë së Suedisë për Republikën e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje.