Kosova dhe Suedia diskutojnë për Reformat zhvillimore kryesore
Prishtinë, 2 maj - Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, mbajtën takimin vjetor ndërmjet Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit reformues Suedi-Kosovë si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit për reformim gjatë 2014-2020.
Në hapje të takimit, Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, tha: “Qëllimi kryesor i bashkëpunimit për reformim ndërmjet Suedisë dhe Kosovës është mbështetja e proceseve të integrimit në BE dhe përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët.
Sot e konfirmuam përkushtimin tonë të dyanshëm për të orientuar reformat në tri fusha kryesore: zhvillimi ekonomik dhe i sektorit privat, demokracia dhe të drejtat e njeriut, si dhe mjedisi dhe ndryshimet klimatike.
Mbështetemi në mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë dhe presim të intensifikojmë bashkëpunimin në vitet e ardhshme tek hyjmë në një fazë thelbësore të procesit të integrimit tonë”.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Henrik Nilsson, tha: ”Në nivel global, si dhe në Kosovë, Suedia i jep prioritet të lartë barazisë gjinore, mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Lehtësimi i tregtisë është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, sidomos për ekonomitë në tranzicion. Zhvillimi i sektorit privat është thelbësor. Shpresoj të ketë më tepër biznes ndërmjet Suedisë dhe Kosovës në të ardhmen. Siguria, drejtësia, qeverisja demokratike, shoqëria civile pluraliste, të drejtat e njeriut duke përfshirë ato të komunitetit LGBTI, janë sektorë kyç”.
“Në përgjithësi, marrëveshja e bashkëpunimit për reformim ndërmjet Suedisë dhe Kosovës 2014-2020, e cila është një harmoni me strategjinë e bashkëpunimit për reformim 2014-2020 – është në përputhje me Agjendën e Reformave Evropiane, si dhe zbatimin e MSA-së".
Gjatë takimit, delegacionet e udhëhequra nga Ministrja Hoxha dhe Ambasadori Nilsson shqyrtuan përparimin e arritur në realizimin e asistencës suedeze 2014-2020 në shumë prej 8-10 milionë eurosh në vit. Delegacionet konfirmuan që asistenca po zbatohet sipas planifikimit, me 30 programe dhe projekte në realizim e sipër.