Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin në gjyqësor
Prishtinë, 12 nëntor - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani gjatë një takimi me delegacionin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, kryesuar nga Xhezair Zaganjori, bisedoi për punën e dy gjykatave. Dy palët kërkuan ta vazhdojnë bashkëpunimin dhe ti ruajnë kontaktet.
Vizita në Gjykatën Kushtetuese u bë në kuadër të vizitës zyrtare të institucioneve gjyqësore që po i bënë delegacioni i Shqipërisë në Kosovë.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani njoftoi delegacionin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë me punën e gjykatës dhe përbërjen e saj. Hasani tha se deri me tani Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 500 lëndë të ndryshme.
Ne kemi patur deri me sot do të thosha 500 lëndë që nga themelimi. Prej tyre shumica dërmuese sepse ne kemi të pa kufizuar Ankesën Kushtetuese kanë qenë të shpallura të pa lejueshme për arsye kryesisht procedurale dhe arsye përmbajtjesore,tha ai.
Ndërkaq kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori vlerësoi lartë kontributin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për forcimin e shtetit, demokracisë dhe shtetit ligjor të vendit. Ai tha se të gjitha gjykatat e larta si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri po përballen me sfida të shumta.
Aktualisht të gjitha gjykatat e larta edhe ju qoftë këtu qoftë në Shqipëri po përballemi me sfida të mëdha të cilat na vënë përpara detyrave për të forcuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për të dhënë drejtësi sa më të kualifikuar, tha ai.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës përbëhet prej 3 gjyqtarëve ndërkombëtarë, 6 vendorë prej tyre katër shqiptarë 1 serb dhe një turk.