Kosova dhe Shqipëria lansojnë programin për punë praktike

Tiranë, 25 prill - Ministri i Diasporës, z. Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, sot në Tiranë, në një konferencë të përbashkët, në prani të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lansuan programin e përbashkët të punës praktike për studentët nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare.
Tre mijë të rinj do të kenë mundësi ta kryejnë praktikën në institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, në kuadër të këtij programi.
Ky program për herë të parë është lansuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Diasporës së Kosovës dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, ndërsa ka rezultuar edhe me një plan të përbashkët pune mes këtyre dy ministrive, i nënshkruar nga ministrat, për fusha të ndryshme në të mirë të të rinjve, ku do të përfshihen edhe të rinjtë nga diaspora.
Ne sot po firmosim edhe një segment tjetër shumë të rëndësishëm, që është programi për rrjetëzimin e organizatave të të rinjve dhe studentëve shqiptarë në diasporë dhe atyre nga Kosova dhe Republika e Shqipërisë e viset e tjera ku jetojnë shqiptarët, në mënyrë që këta jo vetëm të mund të integrohen e njihen në mes vete, por, gjithashtu, të përfitojnë nga përvojat e njëri-tjetrit dhe të ndihen edhe më të fortë për të ardhmen e tyre. Ky rrjetëzim, besoj, do të marrë një dinamikë të plotë qysh nga Samiti i Diasporës, i iniciuar me shumë kurajë nga kryeministri Rama, e në të cilin ne, si Ministri e Diasporës, jemi pjesë me gjithë potencialin tonë, tha në fjalën e tij ministri i Diasporës, z. Valon Murati.
Ndërkaq, ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë, z. Blendi Klosi, theksoi: Sot ky program kalon kufijtë e Shqipërisë. Ai është i hapur edhe për të rinjtë e Kosovës, për të gjithë të rinjtë shqipfolës kudo ndodhen, duke përfshirë dhe ata të diasporës. Së bashku dëshirojmë ta zgjerojmë rrjetin e studentëve apo të sapodiplomuarve, të cilët duan të zhvillojnë praktikën e punës në institucionet e administratës publike. Veçoria e kësaj thirrjeje të dytë është se ajo nuk shtrihet për gjithë shqiptarët kudo që janë.
Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, si nismëtar i këtij programi në Republikën e Shqipërisë, dhe mbështetës i fuqishëm i projektit, theksoi edhe njëherë rëndësinë e këtij procesi për të demokratizuar dhe profesionalizuar më tej administratën publike, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij të thellë që këtë vit ky projekt po merr dimension mbarëkombëtar, duke përfshirë edhe institucionet e Kosovës.
Ministria e Diasporës, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera në Kosovë, kishte lansuar një program të ngjashëm për të rinjtë e diasporës edhe vitin e kaluar, por këtë vit i jepet një dimension tjetër, duke bashkëvepruar edhe me institucionet e Republikës së Shqipërisë.