26 Dhjetor 2024

Kosova dhe Shqipëria duhet të harmonizojnë agjendat shtetërore

Prishtinë, 29 mars - Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë duhet të lënë menjanë politikën ditore kur bëhet fjalë për raportet bilaterale midis tyre, të fokusojnë energjitë në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të nënshkuara midis dy vendeve, si dhe të harmonizojnë agjendat shtetërore, duke u bazuar në interesin tonë kombëtar, tha të hënën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla.

Znj. Gërvalla i theksoi këto aspekte gjatë takimit që zhvilloi me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z.Qemal Minxhozi, me të cilin, përveç thellimit dhe forcimit të raporteve midis dy vendeve, diskutoi edhe për situatën aktuale me pandeminë, dhe në veçanti për zhvillimet politike në rajon.    

“Duke u bazuar në historinë tonë të përbashkët, nuk është asgjë sekrete se Republika e Shqipërisë është partneri ynë kryesor strategjik në rajon, prandaj është shumë e natyrshme që edhe si klasë politike edhe si institucione të aplikojmë politika shtetërore që kanë për qëllim vullnetin e qytetarëve tanë”, tha drejtuesja e diplomacisë kosovare.

Republika e Kosovës aspiron të zhvillojë raporte të mira fqinjësore me të gjitha vendet që ajo kufizohet, tha ministrja Gërvalla, duke shtuar se bashkëpunimi ndër shqiptarë nuk e pengon këtë qasje, por përkundrazi, ofron më shumë paqe, siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin.   

Në këtë takim, ministrja Gërvalla falënderoi ambasadorin Minxhozi për kontributin që Republika e Shqipërisë ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e bashkëpunimit, dhe në veçanti i shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar së fundmi me vaksinat anti-Covid për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës.  

Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Minxhozi biseduan edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve të ndërsjella, me synim gjenerimin e vendeve të reja të punës, në veçanti në fushën e turizmit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)