Kosova dhe Shqipëria dështuan të unifikojnë shqiptarët në Luginë
Preshevë, 24 prill - Kosova dhe Shqipëria kanë dështuar të unifikojnë faktorin politik shqiptar në Luginën e Preshevës për të garuar në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Kështu, shqiptarët po humbin ulëse deputetësh në Beograd.
Qytetarët e tri komunave shqiptare në Luginë, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sot do tu drejtohen pikave të votimit, për të zgjedhur udhëheqësit e tyre komunalë. Por, ata do të mund të votojnë edhe në zgjedhjet parlamentare, ndonëse në këto të fundit po merr pjesë vetëm Partia për Veprim Demokratik (PVD), shkruan Zëri.
Këta të fundit, thonë se kanë synuar të garojnë në një listë të unifikuar të shqiptarëve për Parlamentin e Serbisë, me çrast do të fitoheshin së paku tri ulëse. Por, duke mos arritur të merren vesh me subjektet tjera politike, PVD-ja ka vendosur që të garojë e vetme për parlamentin e Serbisë. Ndërkaq, një subjekt i ri politik Alternativa për Ndryshime, synon të ndryshojë strukturën politike në Preshevë, ndonëse ky subjekt nuk ka arritur të përgatitet për zgjedhjet parlamentare e as të zgjerojë strukturat e saj në dy komunat tjera, Bujanoc dhe Medvegjë.