17 Janar 2025

Kosova dhe Serbia shkëmbyen zyrtarët ndërlidhës

Prishtinë, 17 qershor - Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë sot kanë shkëmbyer zyrtarët ndërlidhës dhe ky është një hap në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtari i parë i shtetit të Kosovës i cili ka filluar punën në kryeqytetin serb është  Lulzim Peci, ndërsa homolog i tij në Prishtinë është Dejan Paviqeviq.

Peci është vendosur në selinë e misionit të Bashkimit Evropian në Beograd dhe në takimin me gazetarët atje, ai e ka quajtur të rëndësishme për të dyja vendet ditën e shkëmbimit të zyrtarëve ndërlidhës.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme sa i përket normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, u ka thënë Peci përfaqësuesve të medieve në Beograd.

Ai ka shtuar se, në këtë drejtim, e pret bashkëpunimin e autoriteteve të Serbisë.

“Unë pres bashkëpunimin e hapur dhe të mirë nga institucionet shtetërore të Serbisë. Unë jam këtu që të jap kontributin tim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, ka theksuar Peci.

Në anën tjetër, në Prishtinë ka arritur Dejan Paviçeciq, i cili ka thënë se në Prishtinë nuk ka ardhur me mision diplomatik, por vetëm si zyrtar ndërlidhës, ashtu sikurse, sipas tij, është edhe zoti Peci në Beograd, për të lehtësuar komunikimin ndërmjet dy popujve.

“Ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel, sot është shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës. Unë erdha në Prishtinë, ndërkaq zoti Peci është në Beograd. Ne do të jemi këtu për të lehtësuar komunikimin, të lehtësojmë zbatimin e gjithë asaj për çfarë është dakorduar në Bruksel dhe thjeshtë, të ndihmojmë për një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet nesh”, tha Paviqeviq.

Ai ka shtuar se serbët e Kosovës mund tu drejtohen të dyja palëve, atij dhe zotit Peci, për ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, kurdo që ato paraqiten.

“Kur flasim për normalizimin e plotë, kjo është diçka që nuk është e definuar saktësisht dhe  ne nuk mund të flasim në formë të qartë për normalizimin e plotë ndërmjet dy vendeve. Ndoshta ndërmjet dy kombeve, popullit serb dhe atij shqiptarë, kemi pasur dallimet tona, problemet tona. Kemi ende disa çështje. Kjo është diçka, por ne si njerëz e kemi nevojën për komunikim”, ka theksuar Paviqeviq.

Ai ka shtuar se nuk gëzon imunitet diplomatik në Kosovë, por siç ka theksuar, ruhet nga afër nga Policia e Kosovës dhe sipas tij, të njëjtin tretman e gëzon edhe zoti Peci në Beograd.

Ndryshe, ai nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me atë nëse pozita e zyrtarëve ndërlidhës do të evoluojë, duke theksuar se  “për këtë mund të flitet më vonë”,  ndërkohë që, sipas tij, tash mund të flitet vetëm për zyrtarët ndërlidhës, ashtu siç e parasheh marrëveshja e Brukselit.

Shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës të Kosovë dhe Serbisë e ka përshëndetur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se ky është nivel i komunikimit diplomatik ndërmjet dy vendeve.

“Ky është komunikimi i parë reciprok i nivelit të tillë diplomatik në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Është fuqizim i njohjes së realitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, por edhe reciprokisht, nga ana e Kosovës në raport me Serbinë, si dy shtete sovrane”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Ndërkaq kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënës shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës është një provë që Serbia po zbaton marrëveshjen e Brukselit.

“Shkëmbimi i zyrtarëve ndërlidhës është një prej rezultateve të dialogut që kemi zhvilluar. Jemi pajtuar që të shkëmbejmë nga një zyrtar ndërlidhës pranë misionit të Bashkimit Evropianë në Prishtinë dhe Beograd”, u tha medieve në Beograd shefi i qeverisë serbe për të shtuar se kjo paraqet edhe “një dëshmi të Serbisë, përse pret datën e anëtarësimit në Qershor.”

Sipas kryeministrit Daçiq, zyrtarët ndërlidhës nuk kanë status diplomatik dhe s’janë ambasadorë, kurse puna e tyre ndërlidhet me lehtësimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteves mes Serbisë dhe Kosovës.

“Do të ketë keqpërdorime, në kuptimin se po bëhet fjalë për ambasada, por duhet të jemi të saktë – nuk janë hapur zyra ndërlidhëse por janë shkëmbyer zyrtar ndërlidhës”, ka saktësuar ai. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)