Kosova dhe Norvegjia nënshkruan marrëveshja për Riatdhesim
Prishtinë, 15 tetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Sverre Johan Kvale, sot nënshkruan marrëveshjen për Riatdhesim në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë.
Kjo është marrëveshja e tetë e nënshkruar për ripranimin e qytetarëve kosovarë, të cilët nuk e kanë të rregulluar statusin legal të qëndrimit në vendet e caktuara.
Me këtë rast, ministri Rexhepi, tha se ky është një moment i rëndësishëm dhe një besim i ndërsjellë në mes të dy shteteve.
E nënshkruam marrëveshjen për ripranim me Qeverinë e Norvegjisë, me ambasadorin e Norvegjisë me autorizim nga ministria përkatëse. Natyrisht, që ne presim që Norvegjia duke i ditur kapacitetet e vogla absorbuese tonat, nuk do të kthejë një numër të madh pa bashkëpunim me neve, tha ministri Rexhepi.
Po ashtu, ministri Rexhepi tha se kjo marrëveshje është një bazë e mirë që të mendohet edhe në lidhje me punësimin sezonal të punëtorëve kosovarë, duke e ditur se niveli i papunësisë në vend është mjaft i lartë.
Kjo bazë legale e cila nuk lejon qëndrim ilegal të qytetarëve tonë mund të krijojë parakushte dhe premisa të mira që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, eventualisht me homologët e tyre, të nënshkruajnë edhe ndonjë marrëveshje në të ardhmen, për punë sezonale që do të ishte një gjë shumë e mirë, shtoi ministri Rexhepi.
Ndërsa ambasadori norvegjez, Sverre Johan Kvale tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një pikë e rëndësishme e lidhjes në mes Norvegjisë dhe Kosovës.
Kjo është marrëveshja e parë që shteti im e nënshkruan me Kosovën. Është e rëndësishme që kjo marrëveshje rregullon lidhjen në mes të dy shteteve tona. Kjo do të lehtësojë që qytetarët e Kosovës të vijnë në Norvegji për punë sezonale. Pasi ata nuk duhet të hyjnë ilegalisht, u shpreh ai.
Marrëveshjes për Riatdhesim në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Norvegjisë është nënshkruar në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.