Kosova dhe Maqedonia merren vesh për hapjen e pikës kufitare në Stançiq
Prishtinë, 16 gusht - Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të re dypalëshe në mes dy vendeve, e cila synon hapjen e pikës së re kufitare në Stançiq, duke i kontribuar edhe më tej bashkëpunimit ndërkufitar në mes dy vendeve respektive.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë nga Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj dhe zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë, Arta Toqi.
Kjo është marrëveshje është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga përfaqësuesit politik të të dyja vendeve, pasi që do të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
“Sot është një ditë e veçantë, sidomos për zonën e Anamoravës, pasi është nënshkruar një Marrëveshje që hap edhe një derë rreth lëvizjes së lirë, e sidomos për ata që jetojnë në këto zona. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket hapjes së pikës kufitare”, ka thënë Demaj, pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
Vlerësim të ngjashëm për rëndësinë e kësaj Marrëveshje ka bërë edhe zëvendës-ministrja e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, Arta Toqi.
“Është ditë e rëndësishme hapja e kësaj pike kufitare sa i përket banorëve, pasi do të shkurtojë rrugën për 20 deri në 25 kilometra. Shpresojmë në një afat shumë të shkurtër do ta finalizojmë këtë projekt ”, tha Toqi.