01 Maj 2024

Kosova dhe Maqedonia kordinojnë integrimet euroatlantike

Prishtinë, 21 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të premten Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki.

Pas takimit, dy ministrat kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast janë shprehur vlerësime të larta për marrëdhëniet e shumanshme mes dy shteteve.

Ministri Hoxhaj tha se marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike dhe diplomatike mes dy vendeve janë rezultat i një bashkëpunimi shumë të mirë që është zhvilluar mes dy shteteve të pavarura.

Ai po ashtu ka shprehur përkushtimin e përbashkët për vazhdimin e përpjekjeve për intensifikimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike e politike mes dy vendeve.
 
Hoxhaj po ashtu ka veçuar marrëdhëniet e fuqishme ekonomike mes dy shteteve, duke theksuar se tashmë ekzistojnë rreth 20 marrëveshje të nënshkruara dhe se shkëmbimet e mallrave dhe shërbimeve mes dy vendeve janë në një nivel të lartë.

“Mund të them që relacionet tona të fqinjësisë së mirë janë relacione shumë të veçanta. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë janë ndër vendet e rralla në rajon nga hapësira e ish-Jugosllavisë që çështjen e  kufirit e kanë të zgjidhur”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, po ashtu bëri të ditur se gjatë takimit dy ministrat kanë biseduar edhe për hapjen e një pike të re kufitare mes dy vendeve, i cili do të intensifikojë bashkëpunimin mes të dy vendeve.

Hoxhaj dhe Poposki kanë biseduar edhe për përmirësim e infrastrukturës që lidh dy vendet. Ministri kosovar me këtë rast ka thënë se Qeveria e Kosovës është shumë përkushtuar që në një të ardhme të afërt të ndërtohet edhe autostrada e re në mes të Prishtinës dhe Shkupit.

“Jemi marrë vesh që të ketë takime të rregullta çdo tre muaj me karakter pune me qëllim që t’i forcojmë lidhjet tona dhe që ministritë tona të punëve të jashtme realisht të kenë një rol të mbështetjes së sektorëve të tjerë si në ekonomi, tregti, arsim dhe të kulturë”, tha Hoxhaj.

Ai ka falënderuar Maqedoninë edhe për mbështetjen që po i jep Kosovës në iniciativat dhe mekanizmat rajonal, për mbështetjen në rrugën e saj evropiane dhe në fushën e liberalizimit të vizave.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, ka konfirmuar Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis dy shteteve.

Sipas tij, këto raporte bazohen në disa segmente e në veçanti në domenin e ekonomisë, ku, siç tha Poposki, subjektet ekonomike në të dyja anët e kufirit kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

Ministri Poposki ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë që të lehtësoj edhe më tutje këto shkëmbime tregtare, duke përfshirë edhe në përmirësimin e ndërlidhjeve infrastrukturore, dhe ndërlidhjen energjetike. 

“Në këtë drejtim do të vendosim bazat e një bashkëpunimi të frytshëm rajonal, shembull të mirë të të cilit na jep edhe bashkëpunimi i vendosur mes kryetarëve të katër shteteve, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, në dinamizmin e të cilit mund të kontribuojnë edhe MPJ-të e dy vendeve”, tha Poposki.

Ai ka shprehur përkrahjen konsistente të Maqedonisë në procesin e integrimit, promovimit dhe përparimit të Kosovës drejt përcaktimeve strategjike, e të cilat janë NATO dhe BE.

“Ky është edhe prioriteti ynë në agjendat tona të përbashkëta dhe mendoj se mbështetja që po e japim do të jetë  e afirmuar në mënyrë konsistente në të gjitha mundësitë që do të kemi në të ardhmen”, tha Poposki.

Në pyetjet e gazetarëve rreth ideve të ndarjes së veriut të Kosovës, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki, ka thënë se zgjidhjet në rajonin nuk duhet të kërkohen në ndryshimin e kufijve, por në perspektivat e integrimit.

“Bashkimi evropian na jep një kornizë të shkëlqyeshme në këtë drejtim dhe mendoj se ky duhet të jetë udhërrëfyesi ynë në sjelljen e vendimeve në periudhën ardhshme. Duhet të fokusohemi në dobitë dhe përfitimet që na ofrojnë dhe të mos kthehemi në zgjidhjet të cilat i takojnë një epokë tjetër, e jo atij të integrimit modern evropian”, tha Poposki.

Ndërsa, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, lidhur me gjendjen në veri të Kosovës ka thënë se për diplomacinë dhe opinion e gjerë perëndimorë është e qartë se situata në veri të vendit është një situatë e trashëguar nga regjimi i Millosheviqit dhe se strukturat ilegale kriminale që ekzistojnë në veri janë mbetje të regjimit të Millosheviqit.

“Ky është i vetmi kënd në Evropë në të cilin nuk ka pas zgjedhje të lira demokratike, nuk ka pas pjesëmarrje demokratike te qytetarëve të vendit në institucionet e Kosovës."

Kosova sipas tij është një shembull i mirë i zbatimit të Pakos Ahttisari dhe pozita e komunitetit serb në Kosovë është ndër pozitat më të favorshme të mundshme që mund të ketë një minoritet në rajon dhe është një ndërhyrje direkte e Beogradit në jetën tonë politike.

"Askush nuk e mbështet në Evropë, pasi që është një situatë e cila është krijuar në veri me ndërhyrjen direkte të Qeverisë në Beograd”, tha Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka deklaruar se në ditët në vijim do të ketë shtim të presionit të shteteve anëtare të BE-së që para se Serbia të marrë statusin e kandidatit të filloj procesin e shpërbërjes së strukturave ilegale në veri.

“Mendojmë se Pakoja Ahtisaarit është e vetmja mundësi dhe largimi i barrikadave nga ana e KFOR-it është një proces i cili ka mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s."

"Komandanti i KFOR-it e ka mbështetjen e sekretarit të NATO-së Rasmussen, që ta kryejë punën e tij në shërbim të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Ministri Enver Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)