Kosova dhe Malta do të thellojnë bashkëpunimin bilateral
Prishtinë, 7 tetor - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi ka pritur sot në takim pune znj. Helga Mizzi, Drejtoreshë e Përgjithshme pranë MPJ-së së Republikës së Maltës për çështje politike, çështje të Bashkimit Evropian dhe për maltezët që jetojnë jashtë vendit.
Në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Znj. Mizzi ka konfirmuar mbështetjen e plotë të Maltës për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Zëvendësministri Selimi dhe drejtoresha znj. Mizzi biseduan edhe për shkëmbimin e diplomatëve mes dy vendeve. Malta ka ofruar trajnime për diplomatët kosovarë në akademinë diplomatike të këtij vendi, e cila është njëherësh ndër akademitë më prestigjioze në botë.
Zëvendësshefi i diplomacisë kosovare e falënderoi znj. Mizzi për vizitën në Kosovë dhe për përkrahjen e vazhdueshme të Maltës, me theks të posaçëm në procesin për anëtarësimin e shtetit kosovar në UNESCO.
Drejtoresha e Përgjithshme pranë MPJ-së malteze znj. Mizzi theksoi gjiuthashtu se Malta mbështet fuqishëm Kosovën drejt integrimeve euroatlantike.