17 Janar 2025

Kosova dhe Mali i Zi në frymën e orientimit euro-atlantik

Prishtinë, 8 nëntor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadorin e Malit të Zi në vendin tonë, Ferhat Dinosha, me të cilin diskutoi për raportet që Prishtina dhe Podgorica zyrtare kanë ndërtuar midis tyre, si dhe për sfera të ndryshme bashkëpunimi midis dy vendeve.

Kryeparlamentari Veseli dhe ambasadori Dinosha vlerësuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa shprehën përkushtimin që bashkëpunimi ndërshtetëror të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në frymën e orientimit të përbashkët euro-atlantik.

Në këtë funksion, kryetari i Kuvendit të Kosovës shtroi nevojën e forcimit të bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të rritjes së shkëmbimeve tregtare, në interes të të dyjave vendeve. Po ashtu, kryetari Veseli theksoi rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të rrugës Deçan-Plavë, si një arterie shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe e qarkullimit të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Kryeparlamentari Veseli tha se çështja e demarkacionit, i cili nuk ka përfunduar ende si proces, nuk ka ndikuar në marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, në të cilën Mali i Zi ka treguar konstruktivitet.

Veseli dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për pozitën e komunitetit malazez në Kosovë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit malazez në vendin tonë.

“Malazezët e Kosovës do ta kenë vendin e merituar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, si qytetarë te respektuar të Republikës se Kosovës”, theksoi kryetari Veseli.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)