Kosova dhe Kolumbia do të shkëmbejnë Ambasadorët
Prishtinë, 3 mars - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka mirëpritur një letër të pranuar nga homologu i tij nga Republika e Kolumbias, Carlos Holmes Trujillo García, nëpërmjet së cilës ai njoftohet mbi Dekretin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy shteteve, veprim ky, që mundëson komunikimin e përhershëm të nivelit më të lartë në mes dy vendeve me shkëmbimin edhe të Ambasadorëve.
Kjo letër pason pas një takimi, që kryediplomati kosovar, Pacolli, kishte zhvilluar me ministrin e jashtëm të Kolumbias, Carlos Holmes Trujillo García, në pjesën e parë të muajit shkurt në Uashington D.C.
“Pas takimit me ministrin e jashtëm të Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo García, muajin e kaluar, Kosova dhe Kolumbia kanë vendosur marrëdhënie diplomatike nëpërmjet shkëmbimit të Ambasadorëve. Kosova do të hapë Ambasadën e saj me qëndrim në Bogota dhe Kolumbia do të emërojë Ambasador jo-rezident nga Italia.”, ka thënë numri dy i Qeverisë, Pacolli.
Nëpërmjet hapjes së Ambasadës rezidente në Bogota, Republika e Kosovës synon mbulimin dhe përfaqësimin jo-rezident diplomatik edhe në shtete të tjera në atë kontinent.