Kosova dhe Izraeli nënshkruajnë sot vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Prishtinë, 1 shkurt - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka deklaruar se me një ceremoni solemne virtuale që do të mbahet sot do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj - Stublla thënë së Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me Shtetin e Izraelit.
''Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës duke theksuar se njohja nga Izraeli “është ndër arritjet më të mëdha për Kosovën e cila është bërë e mundur falë mikut e aleatit tonë të përjetshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, tha ministrja Haradinaj –Stublla.
Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan dakordimin për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.
Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtim i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Dokumenti që u nënshkrua ndarazi parasheh që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.