Kosova dhe Hondurasi vendosin marrëdhënie diplomatike
Washington, 2 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Hondurasit kanë nënshkruar sot një marrëveshje, ku dy vendet themelojnë marrëdhënie zyrtare diplomatike në nivel ambasadorësh.
Ambasadorët përkatës të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori i Kosovës, SHT Avni Spahiu dhe ambasadori i Hondurasit, SHT Jorge Ramón Hernández-Alcerro, kanë nënshkruar komunikatën e përbashkët.
Në dokument thuhet se qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Hondurasit do të promovojnë mirëkuptimin reciprok dhe do të forcojnë marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua sot në Ambasadën e Hondurasit në Uashington, DC.
Dëshmitarë nderi gjatë ceremonisë ishin kongresistët e njohur amerikan, Eliot Engel dhe Connie Mack.
Të pranishëm gjithashtu ishin edhe përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit dhe diplomatë të shteteve të rajonit.