Kosova dhe Estonia thellojnë bashkëpunimin në shumë fusha
Prishtinë, 16 mars - Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Estonisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga homologu i tij, kryeministri i Estonisë, Andrus Ansip.
Temë bosht e takimit të kryeministrave Thaçi dhe Ansip ishin zhvillimet aktuale politike në Kosovë, rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, si dhe thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Estonisë në shumë fusha.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast prezantoi të arriturat dhe sfidat e Republikës së Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë. Qeveria e Republikës së Kosovë, theksoi kryeministri Thaçi është thellësisht e përkushtuar për fuqizimin e qeverisjes së mirë, efektive dhe transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të komuniteteve, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kryeministri Thaçi e vlerësoi lartë bashkëpunimin mes dy qeverive dhe shprehu falënderime për kryeministrin Ansip, kabinetin e tij qeveritar dhe të gjitha institucionet e shtetit të Estonisë, për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë dhe po i japin Republikës së Kosovës, në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.
Kryeministrat Thaçi dhe Ansip u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja shteteve, me theks të veçantë në fushën e E-qeverisjes, të arsimit, të bujqësisë, të tregtisë dhe industrisë dhe në fusha tjera me interes.
Në takim, kryeministri Ansip i siguroi kryeministrit Thaçi përkrahjen e Qeverisë së Estonisë për Qeverinë e Kosovës në fushën e Integrimit Evropian, si dhe përkrahjen për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Kryeministri i Republikës së Estonisë, Andrus Ansip në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se ai dhe qeveria që drejton mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke potencuar se Republika e Kosovës është pjesë e familjes evropiane.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime edhe me Presidentin e Republikës së Estonisë, Toomas Hendrik Ilves dhe me kryetaren e Parlamentit, Ene Ergma.
Edhe në këto takime, kryeministrit Thaçi i është premtuar vazhdimi i mbështetjes së institucioneve të shtetit të Estonisë për të gjitha proceset zhvillimore në Republikën e Kosovës. Është mëse e domosdoshme që bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe Estonisë të thellohet edhe më tej, ngase kjo është në interesin e të dyja vendeve, është në interes të paqes, zhvillimit dhe integrimit - u tha në këto takime.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin estonez, Talin, kryeministri Thaçi ka zhvilluar një drekë pune edhe me kryesuesin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Estoni-Kosovë në Parlamentin e Estonisë, Hannes Astok. Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohjen e qeverisë dhe të gjitha institucionet e Kosovës për z.Astok dhe ka vlerësuar se puna dhe përkushtimi i Grupit të Miqësisë Estoni-Kosovë, dëshmon më së miri për nivelin e lartë të bashkëpunimit mes të dyja vendeve, bashkëpunim ky që do të avanacohet edhe më shumë.
Në kudër të vizitës së delegacionit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Thaçi, në përbërje të të cilit janë edhe ministrat Arsim Bajrami, Enver Hoxhaj, Idriz Vehapi dhe Lutfi Zharku, sot do të nënshkruhen edhe marrëveshje bashkëpunimi nga ministrat përkatës të dy qeverive në fushën e E-qeverisjes, të bujqësisë dhe të tregtisë dhe industrisë.