Kosova dhe Ajova me marrëveshje për rritje të bashkëpunimit
Prishtinë, 26 qershor - Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe të shtetit amerikan, Ajova, shprehën të hënën përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa nënshkruan të hënën në Prishtinë një marrëveshje që përfshinë nga gamë të gjerë sektorësh.
“Kjo marrëveshje do të luaj rol jetik në zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë e fushën e energjisë si dhe do të krijojë instrumente për koordinim të shtuar në mes të dy vendeve tona edhe në fushën e mbrojtjes një bashkëpunim që ka qenë esencial ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ajova National Guard por mbi të gjitha marrëveshja e nënshkruar sot do t’i hap rrugë përafrimit të drejtpërdrejt dhe përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve tanë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas nënshkrimit të dokumentit me Guvernatoren e shtetit të Ajovas, Kim Reynolds, e cila po qëndron në Kosovë.
“Besoj dhe është e qartë se marrëdhënia jonë e veçantë është ndërtuar në themel të fortë të vendosur nga partneriteti më i lartë i suksesshëm i sigurisë mes nesh, Gardës Kombëtare të Ajovas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që vazhdon të lulëzojë edhe tani”, tha zonja Reynolds.
Kosova dhe Ajova kanë nënshkruar programe të ndryshme partneriteti shtetëror që përfshijnë mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, fushën e bujqësisë, fushën e energjisë, arsimit etj.
Në vitin 2013 Kosova dhe shteti i Ajovas nënshkruan marrëveshje të partneritetit të ndërsjellë, në përpjekje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Nënshkrimi i marrëveshjes dhe angazhimi i shumanshëm i shtetit të Ajovas në Kosovë, për Prishtinën zyrtare dëshmon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten partner strategjik i Kosovës, sikundër që ishin në proceset që çuan në lirinë dhe pavarësinë e saj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se aleanca me Shtetet e Bashkuara vazhdon të mbetet jetësore për vendin ndërsa theksoi se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të rrënjosura në vlera të përbashkëta.
“Vendosmëria e aleatëve tanë amerikanë për kauzën e Kosovës ka qenë e domosdoshme në drejtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e shtetndërtimit e sot në përpjekjet tona të çdo ditshme për rritje ekonomike si dhe anëtarësim në institucionet euro-atlantike. Prandaj fuqizimi ndërkombëtar i Republikës si dhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror që janë anëtarësimi në NATO dhe BE e shohim të mundshme vetëm me përkrahjen dhe bashkarisht me forcat aleate strategjike siç janë partner tanë në Shtetet e Bashkuara”, tha presidentja Osmani.
Ajo tha se programi i partneritetit shtetëror të Ajovas vazhdon të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë në përputhje me aspiratat shtetërore për anëtarësim në NATO.
“Kosova, si gjithnjë, është plotësisht e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend dhe rajon, në koordinim të plotë me aleatët tanë”, tha presidentja Osmani.
Marrëveshja e sotme u bë në një periudhë kur Prishtina zyrtare po përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët ndërkombëtarë për shkak të situatës në veri të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri dhe kanë paralajmëruar pasoja. Përjashtimi i Kosovës nga stërvitjet "Defender Europe 2023", ishte hapi i parë ndëshkues.
Zyrtarë evropianë nuk kanë përjashtuar mundësinë që edhe Bashkimi Evropian të vendosë ndonjë masë ndëshkuese për Kosovën në rast të mospërmbushjes së kërkesave për uljen e tensioneve ne veri.
Diplomatët perëndimorë thonë se Kosova dhe Serbia duhet t’i marrin hapa në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës që do të mundësonte fillimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.