Kosova dënon provokimet e fundit të Koresë së Veriut
Prishtinë, 15 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një deklarate ka dënuar aktivitetet e fundit të Koresë së Veriut, pas raportimeve për testin bërthamor të kryer nga ky shtet.
Në deklaratë, ministri Hoxhaj ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e fundit në lindje të largët, pas testit të tretë bërthamor të kryer nga Koreja e Veriut.
Ministria e Jashtme e Kosovës i bashkohet botës demokratike kundër këtyre përpjekjeve provokuese dhe të rrezikshme për rajonin e atjeshëm dhe më gjerë. Ky akt, në vazhdën e provokimeve të mëhershme nga ky shtet, rrezikon stabilitetin regjional dhe shkel të gjitha obligimet e Koresë së Veriut para bashkësisë ndërkombëtare. Veprime të tilla ndikojnë në rritjen e tensioneve, rrezikojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare si dhe janë në dëm të vet popullit të Koresë së Veriut, thuhet në deklaratën e ministrit Hoxhaj.
Hoxhaj shpreh mbështetjen e fuqishme të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për përpjekjet e vendeve demokratike për të marrë të gjitha masat për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla nga Koreja e Veriut.