Kosova dënon ashpër sulmin terrorist në Zelandën e Re
Prishtinë, 15 mars - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër sulmin trishtues terrorist, që ndodhi të premten në dy xhami në Zelandën e Re, dhe i cili la të vdekur dhjetëra persona.
Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, që humbën më të dashurit e tyre nga ky sulm i ulët dhe qyqar dhe qëndron pranë popullit dhe Institucioneve të shtetit mik “në njërën nga ditët më të zeza të Zelandës së Re”, siç u vlerësua edhe nga vet Kryeministrja e këtij shteti, Jacinda Ardern.
Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i bashkuar dhe i vendosur në luftën e përbashkët kundër së keqes, dhe nuk duhet të lejohet që sulmet terroriste, të krijojë ndarje, ndjellë frikë apo nxisin urrejtje brenda shoqërive dhe komuniteteve ku jetojmë.