Kosova aspiron anëtarësimin në BE dhe NATO
Prishtinë, 12 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin inaugurues të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, themeluar nga Presidenca e Kosovës. Në takim po ashtu morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra, përfaqësues nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial, Avokati i Popullit, KQZ-ja e institucione të tjera.
Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova ka dy aspirata, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe atë në NATO.
“Përcaktimi ynë është shumë i qartë. Sot demokracitë më të fuqishme të botës janë të organizuara në dy institucione shumë të rëndësishme që ne i aspirojmë, në Bashkimin Evropian, ku e kemi rrugën e qartë, rrugën e transformimit, si dhe në aleancën më të fuqishme ushtarake, NATO-n, ku synojmë të anëtarësohemi sa më shpejt”, tha kryetari Konjufca.
Sipas tij demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë të tjera.
“Siç po e shohim edhe prej ngjarjeve të fundit në botë dhe invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, se demokracia nuk mund të qëndrojë vet, por nevojiten aleanca me demokracitë e tjera, për sa kohë edhe në botë po e shohim se autokratët janë më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin”, tha kryetari Konjufca.
Në inaugurimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut të pranishmëve iu adresuan edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.
Nëpërmjet Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut synohet bashkërendimi institucional për fuqizim të demokracisë përmes tri shtyllave: luftës ndaj korrupsionit, luftës ndaj autoritarizmit, si dhe përmes avancimit të të drejtave të njeriut.â