Kosova anashkalohet në ndarjen e ambasadave të Ish-RSFJ
Beograd, 5 korrik - Vendet trashëguese të ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë (RSFJ) kanë arritur marrëveshjen për ndarjen e pronës së ish-përfaqësive diplomatike.
Maqedonia sipas marrëveshjes, në fazën e parë nga ndarja ka fituar ambasadën në Kanbera të Australisë si dhe konsullatën në Athinë.
Në këtë ndarje të pasurisë, Kosova është anashkaluar, pasi që ajo ishte pjesë autonome konstituive e federatës, mirëpo sipas kushtetutës ishte në kuadër të Serbisë.
Sipas marrëveshjes së ndarjes, Serbia do ti jap Kroacisë ndërtesën e ambasadës në Vjenë dhe dy apartamente diplomatike në Trst.
Sllovenia përfiton rezidencën në Romë, Konsullatat në Klagenfurt dhe Milano. Bosnjë-Hercegovinë do të përfitojë rezidencën në Budapest dhe shtëpi në Uashington.
Serbia përfiton ambasadën në Pragë si dhe rezidencat në Washington dhe Otavë. Ndarja u bë sipas kuotave të marrëveshjes të ish-anëtareve të federatës. Ndarja e sërishme do të bëhet gjatë muajit shtator.
Nga viti i ardhshëm do të fillojë ndarja e pronës në vendet e Organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim (OECD), me ç`rast do të nisin negociatat për objektet në Afrikë, Azi dhe vendet tjera në botë.
-