Korrupsioni varfëron popullsinë, pengon ekonominë dhe cenon sigurinë kombëtare
Prishtinë, 10 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 47-tën me radhë, në të cilën ka miratuar njëmbëdhjetë projektligje, tri udhëzime administrative dhe vendime të tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Jemi në javën e sensibilizimit të rëndësisë të luftës kundër korrupsionit dhe para se të nis mbledhjen e sotme, dua t'ju siguroj se do të vazhdojmë të mbrojmë dhe të angazhohemi deri në fund për kauzën, që na ka sjellë në qeverisje, pra drejtësi, barazi dhe luftë të pa kompromis kundër krimit e korrupsionit në çdo cep të Republikës", ka thënë Kurti.
Vlerësimet e përvitshme të organizatave të ndryshme, tregonin se korrupsioni, ashtu si pushteti politik dhe financiar, ka qenë i përqendruar rreth qeverisë dhe se fushat më të korruptuara janë prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private.
Ai ka shtuar se këta tetë muaj të qeverisjes kanë dëshmuar se korrupsioni nuk mundet më të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me rangjet e larta të ndërmarrjeve shtetërore.
Sepse, sipas tij dikasteret qeveritare sot udhëhiqen nga profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral.
"Po e theksoj edhe sot, se po u dëshmua e kundërta, ju garantoj që masat do të jenë të menjëhershme, sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është zero."
"Për qeverinë tonë reformimi i prokurimit publik, si një nga burimet e mëdha të korrupsionit, është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike."
"Prandaj, do të angazhohemi, që prokurimi publik të jetë i mirë planifikuar, menaxhuar mirë, me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesionalë e me integritet moral", ka shtuar Kurti.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar sipas kryeministrit Kurti përveç që shkelin të drejtat e qytetarëve, varfërojnë popullsinë mbarë, pengojnë zhvillimin ekonomik e cenojnë edhe sigurinë kombëtare e shtetërore.
Ai ka shtuar se që nga ardhja në qeverisje, kanë treguar përkushtim në luftën kundër këtyre dy dukurive shkatërruese të shoqërisë.
Deri tani, Policia e Kosovës ka realizuar mbi 500 operacione, rreth 900 bastisje dhe i ka shkatërruar 41 grupe kriminale.
"Luftën kundër kriminalitetit po e bëjmë në bashkëpunim me aleatët e partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe në veriun e Kosovës."
"E kemi mirëpritur vendimin e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sanksionimin e personave me dosje kriminale: Milan Radojqiq, Zvonko Veselinoviq, Zharko Veselinoviq, Marko Roshiq, Andrija Bojiq, Srgjan Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Milojko Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisha Nedeljkoviq, Radule Steviq", ka nënvizuar me tutje Kurti.
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi këta individë e këto grupe kriminale, treguan qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit, që shtypin e shfrytëzojnë qytetarët e pjesës veriore dhe vërtetuan legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.
Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional, ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashkët nëpërmjet zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e me partnerët tanë.
Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në cilindo pjesë të vendit.
"Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor e demokratik."
"Pikërisht këtë gjë, na e kërkon edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe ku ka më mirë se këtë ta themi pikërisht sot, në përvjetorin e saj”, ka thënë Kryeministri në fjalën e tij të hapjes së mbledhjes së Qeverisë", ka deklaruar në fund Kurti.