16 Janar 2025

Korrupsioni minon besimin e publikut dhe besimin e tij në Qeveri

Prishtinë, 30 mars - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se korrupsioni rrënon besimin e qytetarëve ndaj qeverisë ndërsa, theksoi se luftimi i tij nuk është punë e lehtë.

Ai i bëri këto komente gjatë fillimit të projektit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, nëpërmjet të cilit synohet të përmirësohet transparenca e prokurimit elektronik nëpër komunat e Kosovës.

Ambasadori Delawie ka theksuar se luftimi i korrupsionit kërkon punë dhe angazhim të përbashkët të të gjithëve në Kosovë.

“Korrupsioni minon besimin e publikut dhe besimin e tij në Qeveri. Ky besim është thelbësor për çdo gjë që Kosova dëshiron ta përmbush, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, tërheqjen e investimeve të huaja, dhe vazhdimin e rrugëtimit drejt integrimit evropian”, tha ambasadori Delawie.

Ai tha se rritja e transparencës dhe llogaridhënies nëpër komunat e Kosovës është shumë e rëndësishme për parandalimin e korrupsionit. Ai tha se kryetarët e të gjitha komunave kanë shprehur vullnetin politik për të bërë ndryshime pozitive dhe kanë përkrahur këtë nismë të USAID-it.

\"Një nga pjesët më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit është krijimi i kushteve që e bëjnë të vështirë të ndodh korrupsionin ose duke zvogëluar hapësirën për korrupsion. Unë mendoj se ky projekt do të ketë një efekt të vërtetë të prekshëm në këtë drejtim, në zvogëlimin e mundësive për personat që kërkojnë ryshfet dhe për të siguruar që të gjithë zyrtarët publik të kuptojnë se transparenca në prokurimin duhet të bëhet normë për Kosovën”, tha ambasadori Delawie.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se duhet më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të zgjedhurit e popullit, në mënyrë që të parandalohen keqpërdorimet në institucione.

“Në këtë drejtim duhet t’i kemi parasysh katër faktorë që me siguri ky projekt do t’i bëjë bashkë. E para vullneti politik, që ne të jemi transparent, efikas dhe të jemi llogaridhënës përballë qytetarëve të Kosovës. Vullneti politik duhet së pari të shkoj nga subjektet politike, të zgjedhurit e popullit dhe duhet të lidhet me legjitimitetin dhe legjitimiteti nuk ka të bëjë vetëm me ditën që zgjidhemi ne, por ka të bëjë me katër vitet e ardhshme që të punojmë në përputhje me pritjet e tyre”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të investojnë në projekte të ndryshme, posaçërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa luftimi i tij është vënë kusht për Kosovën nga zyrtarët e lartë evropian, të cilët thonë se pa rezultate në këtë fushë, Kosova nuk mund të ecën përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)