Koordinohen për dialogun e strukturuar për sundim të ligjit
Prishtinë, 28 maj - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka mbledhur në një takim koordinues delegacionin e Kosovës, që me 30 Maj, do të jenë në Bruksel ku do të fillojë Dialogu i strukturuar për sundim të ligjit në Kosovë, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Në dialogun e strukturuar për sundimin të ligjit do të shqyrtohen tema të ndryshme rreth sundimit të ligjit, të njohura si temat e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave të procesit të zgjerimit të BE-së, ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit.
Në kuadër të këtij takimi njëkohësisht planifikohet të diskutohet çështja e transformimit dhe ristrukturimit të EULEX-it.
Takimi është ftuar nga Komisioneri për Zgjerim Stefan Fule, ndërsa në takim do jenë gjithashtu prezentë edhe Komisionerja për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe përfaqësues të tjerët të drejtorive të përgjithshme.