Koordinohen për aktivitetet për pritjen sa më të mirë të mërgimtarëve
Kaçanik, 15 maj - Komuna e Kaçanikut dhe Ministria e Diasporës (MeD) do të koordinojnë aktivitetet me qëllim të pritjes sa më të mirë të mërgimtarëve kaçanikas gjatë sezonës verore.
Kryetari i Komunës, Besim Ilazi, gjatë një takimi që realizoi me zëvendësministrin e Diasporës Sahit Krasniqi u zotua se Komuna e Kaçanikut do të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për pritjen e mërgimtarëve kaçanikas gjatë muajve të verës. Ilazi i ka thënë zëvendësministrit Krasniqi se Komuna e Kaçanikut edhe në të kaluarën ka qenë e mobilizuar për pritjen e fluksit të bashkatdhetarëve, ndërkohë që shërbimet janë kryer me përkushtim dhe efikasitet. Ne do të vlerësojmë situatën dhe do të veprojmë në përputhje me nevojat, duke e zgjatur orarin e punës dhe hapjen e një sporteli të veçantë, ashtu siç kemi vepruar edhe në të kaluara, u shpreh kryetari Ilazi.
Ndërkaq, zëvendësministri Krasniqi e ka njoftuar kryetarin Ilazi me aktivitetet që do të ndërmerr ministria për pritjen e bashkatdhetarëve tanë. Ai ka thënë se ministra ka për qëllim koordinimin e aktiviteteve me Komunat për pritjen sa më të mirë të bashkatdhetarëve, ndërsa ka shpalosur disa nga objektivat e Ministrisë së Diasporës për sezonin verore. Zëvendësministri Sahiti e njoftoi kryetarin Ilazi edhe për përgatitjen dhe botimin e një fletushke (broshurë) e cila do të ju shpërndahet bashkatdhetarëve tanë me rastin e hyrjes së tyre në pikat kufitare.
Ai tha se fletushka do të përmbajë aktivitetet që Komuna përkatëse do të organizon gjatë sezonit verorë për bashkatdhetarët. Në takim është biseduar edhe për procesin e regjistrimit të qytetarëve tanë në diasporë. Regjistrimi është vlerësuar si një proces shumë me rëndësi, ndërsa janë ftuar bashkatdhetarët që ti përgjigjen këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin. Është thënë se regjistrimi mundëson dhe hap rrugë për zhvillimin e politikave të reja për bashkatdhetarët tanë.