Konjufca: Thaçi në darkë me vëllanë e vogël të Milosheviqit
Prishtinë, 8 nëntor - Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca tha sot në kuvend se, kryeministri Hashim Thaçi ka pasur mbrëmë një darkë me vëllain e vogël të Millosheviqit, për një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Kjo që po i ndodhë Kosovës është turp i madh. Kryeministri ynë është njëfarë Azem Vllasi i kohës sonë. E mbani mend Azem Vllasin, kur ishte nevoja ai nuk e mbrojti bile as autonominë, e lëre më Republikën. Hashim Thaçi nuk po e mbron as Planin e Ahtisaarit, e lëre më Republikën, tha Konufca.
\"Po i besojnë njeriut që ishte në krye të manipulimit të zgjedhjeve; që tha nuk do të ketë negociata politike, dhe i bëri; që dha premtim për sovranitetin dhe nuk e bëri, e kështu me radhë. Këtij njeriu po i beson opozita, e kjo është njëjta sikur ti besosh ujkut se do të ti ruajë delet. Kësi opozite do të kishte ëndërruar çdo lider qeveritar autoritar. Një opozitë që e përkrah Qeverinë gratis. Opozitë e cila nuk e sfidon Qeverinë, por i nënshtrohet asaj\", tha ai.
Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ligjvënësit po e shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për investimet e huaja, Projektligjin për Avokaturën Shtetërore, si dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil.