Konjufca: Thaçi i kontrollon LDK-në dhe AAK-në
Prishtinë, 21 qershor - Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i ka kritikuar LDK-në e AAK-në se po dorëzohen përballë kryeministrit Thaçi. Sipas tij, kryeministri Thaçi i kontrollon LDK-në dhe AAK-në.
Konjufca në një intervistë për Epokën e re tha se po të kishin qenë këto dy subjekte politike sikur Lëvizja Vetëvendosje, qeveria Thaçi moti do të kishte rënë prej pushtetit.
Sipas tij, VV-ja e vetme e ka të vështirë ta luajë rolin e opozitës.
Hashim Thaçi në njëfarë mënyre po i mban nën sqetull këto dy subjekte politike sa herë që po dëshiron, ka thënë Konjufca.
Është e vështirë sepse në gjysmën e rrugës këto dy parti po e ndërrojnë drejtimin, ka thënë Konjufca në intervistën për Epokën e re.
Me duket tejet e pasinqertë sjellja e subjekteve politike, të cilat e quajnë veten opozitare, për arsye se kur është puna tek projektet e mëdha të kësaj qeverie, të gjithë janë njëzëri me Hashim Thaçin dhe i nënshtrohen atij, ka thënë Konjufca.