Konjufca: Qeveria e solli betonimin e ndarjes së Mitrovicës
Prishtinë, 9 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se premtimet nga Qeveria e Kosovës që përmes negociatave do të ndryshohet situata në veriun e Mitrovicës, rezultuan me murin që po ndan qytetin.
Nga negociatat e Brukselit sipas Vetëvendosjes as nuk u bë shtrirja e sovranitetit dhe bashkimi i Mitrovicës, e as nuk pati avancim në integrimet eurpiane.
Në lidhje me këto dhe thellimin e ndarjes në qytetin e Mitrovicës, si dhe interpelancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje!, në një konferencë për shtyp foli Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca.
Konjufca përmendi ndërhyrjen e 25 korrikut të vitit 2011 të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ai tha se Vetëvendosje! në atë kohë pati deklaruar në Kuvend se ajo ndërhyrje e orkestruar nga kryeministri i atëhershëm Thaçi po bëhej ose për shtrirjen e njëmendtë të sovranitetit ose për ta bërë çështjen e Mitrovicës temë të negociatave. E që në fund doli të jetë e vërtetë e dyta.
\"Para 5 viteve na thonin se me dialog do shpërbeheshin strukturat paralele, por po del se qëllimi kryesor paska qenë që veriu të vendoset në tavolinën e negociatave në mënyrë që Serbia t\'i realizonte aspiratat e saja, që përfundimisht ta krijonte shtetin e organizuar brenda Kosovës, \'Zajednicën, e cila ngjalli shumë reagim në mesin e qytetarëve\'\", theksoi Konjufca.
Tutje ai shtoi se Vuçiqi me trysni përmes barrikadave të ndërtuara në veri, ka dashur që ta realizojë qëllimin e vet, për ta kontrolluar shtetin e Kosovës, dhe ia ka arritur sepse Qeveria jonë ka pranuar ta nënshkruajë marrëveshjen e dëmshme për \'Zajednicë\'. Si dhe kujtoi premtimin nga Edita Tahiri që me këto negociata do të hapet ura, e që në fakt tani po ndërtohet muri që ndëpren qarkullimin mes dy pjesëve të qytetit.
\"Situata në veri është kështu: në njërën anë kemi Goran Rakiçin me mbështetje nga Serbia i cili po e kolonizon atë pjesë te qyteti duke sjellë banorë të cilët as që kanë jetuar në veri. E në anën tjetër kemi mbi 12.000 shqiptarë të dëbuar në vitin 2000 të cilët tani jetojnë si refugjatë brenda vendit të tyre.\"
\"Pra, kjo Qeveri tash e 17 vite nuk ka plan për këta qytetarë dhe pse kanë të drejtë të kthehen në shtepitë e tyre, e strukturat paralele paligjshëm po e kolonizojnë veriun e Mitrovicës, tha veç tjerash Konjufca
Lëvizja Vetëvendosje! ka thirrur intepelancë për situatën atje duke iu drejtuar drejtpërdrejtë Isa Mustafës, i cili së bashku me Edita Tahirin dhe Hashim Thaçin janë përgjegjësit kryesorë për gjitha dëmet e sjellura nga dialogu me Serbinë.