Konjufca: Pakënaqësia e qytetarëve s'mund të heshtet me arrestime
Prishtinë, 6 maj - Javëve të fundit, pushteti LDK-PDK është marrë ekskluzivisht me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, përmes policisë. Më 1 maj, Sekretari i Lëvizjes, Dardan Molliqaj u arrestua nga policia në Aeroportin e Prishtinës.
Ai u mbajt me orë të tëra aty i ngujuar në aeroport dhe pa asnjë shpjegim pse ishte arrestuar.
Kur e sollën në Prishtinë, prokurori e liroi, kurse policia nuk e zbatoi urdhrin e prokurorit. Kjo është edhe më shqetësuese sesa thjesht fakti që i arrestuari ishte Dardani. Çfarë sistemi shtetëror është ky në Kosovë policia e ka agjendën e vet të pavarur nga prokuroria.
Drejtësia vendos, por një vendimmarrje ende më e lartë se drejtësia, që është pushteti qeveritar, e urdhëron policinë ndryshe.
Dhe policia vepron sipas skenarit të drejtpërdrejtë të dikujt në Qeveri që me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dëshiron të merret përmes instrumenteve të represionit. Dardanin policia e dërgoi në Deçan. Dhe e tërë çështja përfundoi në mënyrë vërtet banale: i thanë se e kanë sjellë për ta paguar një gjobë 25 euro në komunikacion!
Shiheni se çfarë sistemi ka ndërtuar këta monopolizuesit e shtetit: nëse je në VETËVENDOSJE!, je duke shkuar për një tubim me bashkatdhetarë, arrestohesh nga policia e pushtetit pse ke protestuar në prill të vitit 2013 kundër marrëveshjes me Serbinë, dhe përfundon në Deçan për ta paguar gjobën e komunikacionit. Kurse, nëse je në PDK, ke zhvatur tenderë, ke marrë reket, ke kërcënuar e ke rrahur njerëz, të hapen edhe portat edhe aeroportat, policia nuk të sheh, bëhesh i padukshëm, i kapërcen të gjitha shtetet e BE-së dhe përfundon në Suedi si Xhabir Zharku.
Zonja dhe zotërinj, ky është modeli i shtetit të qeverisë së kaluar, të cilin me shumë zell po e vazhdon qeveria aktuale.
Dy ditë pas arrestimit të Dardanit, më 3 maj, u arrestua në kufirin Shqipëri-Kosovë, drejtuesi i Sekretariatit për Media në VV, Frashër Krasniqi dhe aktivistja Etleva Malushaj. Nga ora 23 deri në 3 të mëngjesit u mbajtën në kufi pa kurrfarë shpjegimi nga policia për arsyen e arrestimit. Frashëri dhe Etleva dëshmojnë se e kanë dëgjuar rreshteren e policisë në Vermicë, të ketë bërtitur në korridor duke thënë:
unë i mbaj këta sa të dua vet, dhe bile i vras krejt. Nga ora 3 deri në orën 8 të mëngjesit u mbajtën njëri në stacionin policor në Kodër të Trimave e tjetri në Qendër. Në fund atyre iu tha se arsyeja e arrestimit është protesta e vitit 2013 kundër marrëveshjes me Serbinë.
Në ndërkohë shumë aktivistëve gjatë këtyre ditëve iu kanë ardhur thirrjet për tu paraqitur në polici e nëpër gjykata.
Qeveria Mustafa e ka humbur arsyen. Modeli i shtetit që po e ndërton kjo qeveri mund të kualifikohet si shtet policor. Prej ardhjes në pushtet kjo qeveri u mor me qytetarët kryesisht përmes polici. Dhe kjo është simptomë se preokupimi i vërtetë i Qeverisë nuk janë problemet e qytetarëve dhe zgjidhja e tyre, por shtypja e pakënaqësisë së tyre. Mënyra ma e keqe për tu marrë me pakënaqësinë është shtypja e pakënaqësisë.
Pakënaqësia qytetare rritet vazhdimisht nëse nuk adresohet dhe nëse nuk i gjendet zgjidhje shkaqeve që e prodhojnë atë. Qeveria e Mustafës nuk po merret me shkaqet, ajo po merret me frikësimin dhe ndëshkimin e të pakënaqurve. Kjo është me të vërtetë zhgënjyese, sepse varfëria, papunësia, mirëqenia e dobët, luftimi i korrupsionit, nuk zgjidhen si probleme duke e arrestuar dhe duke e futur në burg opozitën.