Konjufca: NDI ka dhënë kontribut të çmuar për Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 21 shtator - Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe organizatat e tjera amerikane që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës kanë qenë partneri kryesor për funksionimin e mirë të tij dhe kanë dhënë ndihmë në ngritjen profesionale të stafit mbështetës të grupeve parlamentare, por edhe të administratës së Kuvendit, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, në punëtorinë që po mbahet me stafin e grupeve parlamentare, organizuar nga NDI dhe USAID.
Duke e konsideruar të rëndësishëm këtë trajnim, kryetari Konjufca tha se ajo çfarë shihet në Kuvendin e Kosovës, sidomos në aspektin pozitiv të punës dhe profesionalizmit, prej 20 vitesh, është meritë edhe e NDI-së.
Programin e trajnimit që po mbahet për stafin mbështetës politik, kreu i Kuvendit e konsideroi shumë të rëndësishëm, pasi që sipas tij partitë politike kanë kapacitete të limituara sa i përket trajnimit të stafit të grupeve parlamentare, i cili mbështetë deputetët në punën e tyre të përditshme.
“Partive politike u mungojnë programet nëpërmjet të cilave ato do t’i përgatisnin profesionalisht njerëzit që i dërgojnë në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, të gjithë ata të rinj që duan të kyçen dhe të japin ndihmën e tyre për deputetët, është me rëndësi që të marrin pjesë në programe të tilla, ngase aftësimi dhe përgatitja profesionale e tyre ndikon pozitivisht që puna e Kuvendit të jetë më efektive dhe përmbajtësore. Deputetët duhet të jenë mirë të përgatitur dhe mirë të informuar për të gjitha temat, si në seanca plenare, ashtu edhe komisione parlamentare”, tha kryekuvendari Konjufca.
Ai theksoi se rritja e numrit të stafit mbështetës ka ndikuar pozitivisht në punën e Kuvendit, duke shtuar se një Kuvend i fuqishëm është një mbikëqyrje e fuqishme e Qeverisë dhe kjo sipas tij ndikon që të rritet transparenca dhe llogaridhënia.
Ndërsa Nancy Soderberg, drejtoreshë e NDI-së për Kosovë, vlerësoi lart bashkëpunimin me Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke shtuar se stafi mbështetës i grupeve parlamentare janë motori i transparencës dhe llogaridhënies, dy shtylla kryesore, të cilat, sipas saj, NDI i ka përkrahur qysh në fillim.
Në trajnimin për stafin mbështetës të grupeve parlamentare, i cili do të zgjasë dy ditë, do të diskutohet për shumë tema dhe aspekte të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.â