Konjufca: Kadri Veselit po i del fytyra e vërtetë
Prishtinë, 2 mars - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi i cili lëshoi seancën pasi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia ndaloi fjalën, në një konferencë për media tha se mandatin për deputet në Kuvendin e Kosovës ia kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe jo Kadri Veseli.
Krasniqi tregoi se në foltore donte të fliste për vuajtjet që u janë shkaktuar familjeve të tyre në këto dy vitet e fundit.
“Rasti i montuar kundër nesh është rasti më i turpshëm në këtë vend”, ka thënë ai.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar Glauk Konjufca tha se sot nuk do të kthehen në seancën e Kuvendit, dhe se do ta shprehin shqetësimin e tyre për shkelje të procedurave në Kuvendin e Kosovës.
Ai potencoi se me këtë akt i doli fytyra e vërtetë Kadri Veselit, pasi sipas tij është tregues i qartë që Veseli ende e konsideron Krasniqin si terrorist.
“Veselit i doli fytyra e vërtetë. Mënyra se si ia ndali fjalën që është e drejtë elementare dhe se si mu qas mu si shef i Grupit parlamentar të VV-së në Kuvend, tregon qartë se Frashërin ende e konsideron terrorist”, tha Konjufca.
Ai po ashtu tha se posti i kryetarit të Kuvendit nuk udhëhiqet sipas qejfit.
“Ky post nuk udhëhiqet me qejfe, sepse kur e pyeta se pse ia ndale fjalën, Veseli tha ‘për pikë të qejfit’”, u shpreh tutje ai.
Ai po ashtu akuzoi Veselin si përgjegjës për krejt çka ka ndodh në Vetëvendosje.