Konjufca: Isa e Ramushi ti lënë anash ambiciet personale
Prishtinë, 15 nëntor - Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Mustafa dhe Haradinaj ti lënë anash ambiciet personale për të ruajtur qëndrueshmërinë e Bllokut.
Besoj se liderët do ta gjejnë forcën të ngritën mbi interesat dhe ambiciet e tyre personale dhe të mos e shkatërrojnë atë që është ndërtuar tash e sa muaj. Pra, LDK-AAK-Nisma dhe VV është bllok i qëndrueshëm politik me shumicë parlamentare në Kuvendin e Kosovës, i cili është i gatshëm ta qeverisë Kosovën ndryshe, ka thënë Konjufca në këtë intervistë për Epokën e re.
Në këtë kontekst, Konjufca ka propozuar dy zgjidhje që, sipas tij, edhe mund të kryejnë punë.
Nuk e di se sa mund të jetë funksional ky propozim, por kam thënë që në tavolinë janë dy zgjidhje. Zgjidhja e parë është mandati i plotë. Nëse nuk pajtohen liderët, atëherë zgjidhja e dytë është reprezentimi rotativ (pjesën e parë të mandatit të jetë njëri lider kryeministër, ndërsa pjesën e dytë tjetri). Ky propozim nuk është zgjidhja më e mirë, megjithëse më duket më serioze ideja e mandatit të plotë, është shprehur Konjufca, duke shtuar se për Vetëvendosje!-n është dytësore nëse do të jetë Haradinaj apo Mustafa kryeministër.
Për Lëvizjen Vetëvendosje! ka qenë e një rëndësie dytësore nëse do të bëhej Isa Mustafa kryeministër apo Ramush Haradinaj. Ne jemi nisur prej qëllimit madhor që ti japim fund qeverisjes së këtij lloji, kurse emrat për kryeministër janë dytësorë sepse nuk mendoj se Kosovën mund ta shpëtojë apo ta dështojë një njeri, ka theksuar ai.
Sipas Konjufcës, nuk ka alternativë tjetër përveç kësaj që blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje! ta formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Dua të besoj se presidentja, për të mos e dërguar edhe një herë vendin në zgjedhje (gjë që do të hynim në kriza edhe financiare e buxhetore), do tu japë mundësin e formimit të qeverisë atyre që e argumentojnë me numra në Kuvend formimin e qeverisë. Dhe nuk shoh alternativë tjetër përveç kësaj, që blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosja ta formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës, ka deklaruar Konjufca.
/Epoka e Re/