Konjufca e Xhaferi i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve
Shkup, 12 dhjetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Në fillim të vizitës së tij kryetari Konjufca u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me të cilin u shkëmbyen mendime për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian të të dy shteteve.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, kryetarët Konjufca e Xhaferi i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa theksuan nevojën për thellimin e mëtejmë midis tyre në të gjitha fushat.
Duke potencuar një varg hapash që dy kuvendet kanë ndërmarrë në funksion të forcimit të bashkëpunimit midis tyre, të dy homologët shprehën gatishmërinë për intensifikimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve, duke e shtrirë atë në të gjitha segmentet e veprimtarisë parlamentare.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Xhaferi, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut i mbështet aspiratat euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe në vazhdimësi shpreh gatishmëri për transmetimin e njohurive dhe përvojave të përfituara, si në rrugën e BE-së ashtu edhe në raport me aspiratat e integrimit në NATO.
Njëkohësisht Xhaferi e përsëriti qëndrimin afirmativ të vendit të tij për aderimin e Kosovës në të gjitha organizatat multilaterale dhe rajonale.
Kryetari Xhaferi theksoi se në Maqedoninë e Veriut ndiqen me vëmendje ngjarjet aktuale në Kosovë dhe vlerësoi se është i domosdoshëm vazhdimi i negociatave mes dy palëve, me qëllim të qetësimit të gjendjes dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e hapura.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pasi falënderoi kryetarin Xhaferi për kontributin e tij të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë përcaktime dhe qëllime të njëjta strategjike në raport me politikën e jashtme.
Kryetari Konjufca falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të vendit për Kosovën, në sferën e integrimeve euro-atlantike, si edhe për liberalizimin e vizave me BE-në.
Kryetari Konjufca potencoi se që nga pavarësimi i Kosovës, të dy shtetet zhvillojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim bilateral pozitiv dhe konstruktiv në të gjitha fushat, për çka janë nënshkruar rreth 60 marrëveshje bilaterale.
Në raport me agresionin e papranueshëm të Federatës Ruse në Ukrainë, kryetari Konjufca potencoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë në anën e vërtetë, në të cilën është e gjithë bota demokratike.
Në takim u vlerësua se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët, përfshirë ato të ndërlidhjes infrastrukturore e të bashkëpunimit tejkufitar, i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.
Bashkëbiseduesit konfirmuan zotimet për intensifikimin e vizitave të ndërsjella, si ndërmjet kryetarëve të parlamenteve, ashtu edhe ndërmjet komisioneve përkatëse dhe grupeve parlamentare të miqësisë.