Konjufca: Asociacioni po bëhet me instruksione të Serbisë
Prishtinë, 3 korrik - Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se koncepti i unitetit për dialog me Serbinë dhe emri i presidentit Hashim Thaçi brenda tij janë koncepte kundërthënëse dhe përjashtuese.
Ai për gazetën “Zëri” ka folur edhe për statutin e Asociacionit, i cili sipas tij po bëhet me instruksione të Serbisë
Nuk mund të ketë koncept për unitet në bisedimet me Serbinë në krye me presidentin Hashim Thaçi, pasi janë koncepte kundërthënëse dhe përjashtuese.
Kështu ka deklaruar në një intervistë për këtë të përditshme shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke shtuar se Hashim Thaçi është emër përçarës, i cili më shumë kujdeset për hallet e veta, sidomos në raport me Gjykatën Speciale, sesa për mbrojtjen e interesave të Kosovës.
Konjufca madje ka thënë se i pari i shtetit të Kosovës i ka bërë favore të mëdha Serbisë me deklaratat e tij të fundit.
“Nuk mund të kishte favor më të madh për Serbinë sesa të dilte Thaçi e të thoshte se nuk ka vija të kuqe”, ka pohuar Konjufca.
Konjufca ka folur edhe për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili, sipas tij, po bëhet në mënyrë të njëanshme dhe me instruksione të Serbisë.