Kongresmeni amerikan Rohrabacher vlerësoi progresin e Kosovës
Prishtinë, 11 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim kongresmenin amerikan, Dana Rohrabacher.
Gjatë takimit, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin në Kosovë, duke theksuar prioritetet e Programit Qeverisës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar si dhe agjendën integruese euroatlantike e reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi, si pjesë e zhvillimit të vendit.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës, në të gjitha fushat.
Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme për Kosovën.
Gjatë takimit, kongresmeni Rohrabacher u interesua edhe për progresin në zhvillimin ekonomik, në fushën e energjetikës si dhe në shëndetësi.
Kryeministri Mustafa dhe kongresmeni Rohrabacher biseduan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.