Konfirmohet rendi i ditës për seancën e 19 majit
Prishtinë, 17 maj - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, ka konfirmuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 19 majit.
Pas pikave të përhershme të mbledhjeve rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohet Raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010.
Në vazhdim, ndërkaq, do të zhvillohet debat parlamentar për masakrën në Burgun e Dubravës. Kërkesa është shtruar nga deputeti, Nait Hasani, dhe është mbështetur nga një grup deputetësh.
Në të njëjtën seancë do të miratohet Rregullorja për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, kurse në vazhdim do të shqyrtohen: Rekomandimi i Komisionit për Media për formimin e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, Propozimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur, për zgjedhjen e anëtarit në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, Raporti vjetor i Rregullatorit për ujëra dhe mbeturina, për vitin 2010, Raporti i punës së Agjencisë kundër korrupsionit, për vitin 2010, Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2010, Raporti vjetor i Rregullatorit për energji, për vitin 2010, Raporti vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil, për vitin 2010, Raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, për vitin 2010, si dhe Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2010.
Në këtë seancë, parashihet të ketë debat parlamentar lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe Europolin, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.
Në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar edhe Propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e ngarkuar Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri që të përgatisë për Kuvend raportin me rekomandime, si dhe Propozimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për debat parlamentar, lidhur me gjendjen e pensionistëve në Republikën e Kosovës.
Për këtë pikë të rendit të ditës, para se çështja të radhitet për seancë plenare, Kryesia kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale një material bazë, i cili do tu shërbente deputetëve për debat parlamentar.