Komuniteti turk urë lidhëse e marrëdhënieve Kosovës-Turqi
Prishtinë, 23 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion me përfaqësues të komunitetit turk, të prirë nga ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagxhillar.
Duke i përgëzuar për 23 Prillin, Ditën e Turqve, Presidenti Sejdiu tha se me aktivitetet e organizuara në kuadër të kësaj dite është dhënë një mesazh i mirë i përkushtimit për të ardhmen e përbashkët.
Po ashtu, Presidenti i falënderoi pjesëtarët e komunitetit turk për kontributin e vazhdueshëm që kanë dhënë dhe po japin në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova.
Unë me këtë rast shprehi konsideratat më të larta për kontributin e tyre për Kosovën në të gjitha proceset e mëdha që kemi kapërcyer dhe ky kontribut është dhënë për arsye se Kosova është e përbashkët, është e të gjithëve. Për ne është shumë e rëndësishme që komuniteti turk në Kosovë është një urë e mirë lidhëse e marrëdhënieve të Kosovës me Turqinë dhe pikërisht ky bashkëpunim i thelluar mes dy vendeve reflekton nga ndjenja e mirë që kanë për Kosovën të gjithë qytetarët e saj, pra edhe komuniteti turk, shtoi Sejdiu.
Duke folur për përfaqësimin e komuniteti turk në institucionet e vendit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu tha se është me rëndësi se ky komunitet ka përfaqësuesit e vet në institucionet e vendit deri në nivelet më të larta, në Parlament, në Qeveri, në pushtetin lokal dhe të njëjtën kohë vetë legjislacioni i Kosovës është një garant i mirë i realizimit të drejtave të gjithë qytetarëve të Kosovës.