Komunitetet pakicë janë tregues i harmonisë ndëretnike e ndërfetare
Prishtinë, 4 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të komunitetit goran të Kosovës.
Kryeministri Mustafa i ka uruar pjesëtarët e komunitetit goran për ditën e këtij komuniteti, që shënohet me 6 maj, duke vlerësuar angazhimet e përbashkëta të komuniteteve në ndërtimin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur të gjitha komunitetet pakicë, përfshirë edhe komunitetin goran, dhe për integrimin e plotë në shtetin dhe në shoqërinë kosovare.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu vlerësoi se komunitetet pakicë janë tregues i harmonisë ndëretnike e ndërfetare, si dhe multikulturalizmit në Republikën e Kosovës.
Përfaqësuesit e komunitetit goran, të cilët përfaqësonin një numër të organizatave jo qeveritare, shprehën angazhimet e tyre për fuqizimin e rolit të tyre në shtetin e Kosovës, duke shprehur edhe shqetësimet e tyre aktuale.
Ata ftuan kryeministri Isa Mustafa që të vizitojë vendbanimet e tyre dhe që të ofrohet më shumë përkrahje e të fuqizohet bashkëpunimi me këtë komunitet.